Deklaratat e deputetit të PD-së, Belind Këlliçi, i cili foli për “dështimet e Shqipërisë”, shkaktuan nervozizëm dhe reagim të hapur nga eurodeputetja shqiptare nga Suedia, Arba Kokalari.

Në Takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, ku Këlliçi e zgjati tej mase me tone pesimiste për realitetin shqiptar, Kokalari mori fjalën me një mesazh të prerë dhe plot domethënie politike.

“Ju inkurajoj të lini mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të bëni atë që është e nevojshme për vendin tuaj, për fëmijët dhe nipërit tuaj”, – u shpreh ajo, me një ton që u lexua si qortim i qartë ndaj mënyrës si opozita përshkruan vendin në forumet ndërkombëtare.

Eurodeputetja e njohur i kujtoi politikës shqiptare – dhe në mënyrë të tërthortë Këlliçit – se rruga drejt Europës nuk kalon përmes përçarjes dhe denigrimit, por përmes bashkëpunimit dhe kompromisit.

“Në Parlamentin Europian asgjë nuk bëhet pa kompromis.Kultura e BE-së është bashkëpunimi – të negocioni, të jepni e të merrni.Sa më shpejt të punoni me këtë frymë, aq më shpejt do të mbërrini në BE.”

Me një buzëqeshje të qetë, por me fjalë që peshojnë rëndë, Kokalari dha një leksion politik për ata që përdorin foltoret ndërkombëtare për të bërë opozitë të brendshme.

“Unë nuk kam parë një moment të tillë ku të gjithë janë të bashkuar në dëshirën për ta parë Shqipërinë në Bashkimin Europian.Në Bruksel të gjithë flasin për këtë: ‘Duhet ta marrim Shqipërinë në BE’.Dhe tani gjithçka është në duart tuaja.”

Deklaratat e saj u pritën si një shuplakë diplomatike ndaj retorikës së zymtë të Këlliçit, duke sjellë në vëmendje edhe një herë kontrastin mes mënyrës se si politika shqiptare e përfaqëson vendin në arenën europiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu