
Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore minimale 1-0 në miqësoren ndaj Gjibraltarit, në një sfidë historike që shënoi përballjen e parë mes dy ekipeve.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 69-të, kur Jasir Asani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekjeje me dorë në zonë gjatë një aksioni të Cristian Shpendit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me pak raste të rrezikshme. Medon Berisha ishte më i dalluari, duke tentuar dy herë portën, por u ndal nga portieri dhe traversa. Në pjesën e dytë kuqezinjtë u treguan më aktivë, me disa tentativa nga Shpendi dhe Arber Hoxha.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të zhvillohet më 9 shtator në “Air Albania” ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Pas takimit, ish-sulmuesi i kombëtares, Erjon Bogdani, shprehu zhgënjimin e tij për paraqitjen e kuqezinjve:
“Ishte një ndeshje ku e vetmja gjë pozitive ishte debutimi i disa lojtarëve të rinj. Përtej kësaj, loja ishte pa ritëm, pa qarkullim të shpejtë topi dhe pa dëshirë. Me një kundërshtar si Gjibraltari, prisja më shumë aksione, gjuajtje në portë dhe gola. Shpresoj që ndaj Letonisë të kemi një paraqitje krejtësisht ndryshe.”
Edhe politikani i njiohur për tifozerinë e zjarrtë, Taulant Balla ka dalë hapur me një status:
Nga ndeshja sot e kombëtares nuk kishte asgjë për tu mbajtur mend. Ndeshje e dobët. Si sot 2️⃣1️⃣ vite më parë, më 4 shtator 2004 triumfonim 2-1 ndaj Greqisë së saposhpallur kampione Europe me gola të Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt🦅🇦🇱- shkruan Balla duke hedhur edhe një video të ndeshjes historike.