Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi se është autorizuar shoqëria “KAYO” për të negociuar marrëveshje me dy kompani ndërkombëtare, të cilat pritet të jenë italiane, për ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në Shqipëri.

Sipas ministrit, ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të industrisë ushtarake vendase, ndërsa marrëveshja është ende në proces negociimi.

“Po krijohet shtrati pas kaq kohësh për ndërtimin e mjeteve lundruese në Shqipëri. Marrëveshja ende është e pa përfunduar, por kjo do të jetë një nxitje për industrinë ushtarake dhe për vendet e punës,” – u shpreh Nufi.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si një hap historik, duke theksuar se për herë të parë pas shumë vitesh krijohen kushtet për prodhimin e mjeteve të tilla në vend. Sipas tij, vendimi është diskutuar edhe në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Ministri foli gjithashtu për rolin e Forcave të Armatosura në misionet ndërkombëtare, duke e cilësuar si tregues të përgatitjes së efektivëve shqiptarë dhe të angazhimit të vendit në operacione të përbashkëta me partnerët.

I pyetur për mundësinë e përdorimit të bazës së Kuçovës nga Shtetet e Bashkuara, në rast operacionesh të mundshme, Nufi u shpreh se çdo kërkesë e tillë do të shqyrtohet në momentin përkatës.

Ai theksoi se baza e Kuçovës është pjesë e NATO-s dhe çdo vendim do të merret në koordinim të plotë me aleatët dhe në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në aleancë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu