
Shqipëria ka dënuar ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë, duke e cilësuar atë një veprim destabilizues dhe kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në reagimin zyrtar të kryeministri Rama theksohet se fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe tregon natyrën agresive të veprimeve të Teheranit.
“Turqia është një vend mik dhe një partner strategjik i Shqipërisë dhe një Aleat i çmuar i NATO-s”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet shqiptare theksojnë se përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Shqipëria vlerëson gjithashtu reagimin e shpejtë të NATO-s për mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës.
Në përfundim të reagimit, Tirana zyrtare thekson se Shqipëria qëndron krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të NATO-s.



