TIRANË – Kombëtarja shqiptare përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikueseve të Botërorit 2026, teksa nesër në mbrëmje, më 7 qershor në orën 20:45, do të përballet në “Air Albania” me Serbinë. Trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë sot në konferencë për shtyp, duke dhënë mesazhe të qarta: Shqipëria do të luftojë me shpirt për tri pikët.

“Do të japim gjithçka në fushë. Kam dëgjuar se ka pasur 800 mijë kërkesa për bileta. Do të shfrytëzojmë 22 mijë tifozët si futbollistin e 12-të. Serbia ka lojtarë të mirë si Mitrovic, Vlahovic apo Jovic, por edhe ne kemi armët tona: Uzuni, Broja, Bajrami, Manaj… Jam krenar për ta,” tha trajneri brazilian Sylvinho.

Ai tregoi se është ndjerë emocionalisht për këtë takim dhe do të kishte dashur të sillte edhe babain nga Brazili për ta parë ndeshjen nga stadiumi, por rruga ishte shumë e gjatë. “Le të shijojmë këtë ndeshje. Është një duel ndryshe, me shumë emocion, por ne jemi të fokusuar te fitorja,” shtoi tekniku kuqezi.

Gjimshiti i prerë: “Fokusi vetëm te fusha”

Ndërkohë kapiteni Gjimshiti u shfaq i qartë në qëndrimin e tij: “Mesazhi i vetëm është paraqitja në fushë. Duhet të lemë gjithçka në fushë për këtë ndeshje. Kemi studiuar kundërshtarin dhe jemi përgatitur mirë.”

Një moment kurioz ndodhi gjatë konferencës kur një gazetar serb e pyeti për bashkëshorten serbe. Gjimshiti u përgjigj prerazi: “Nuk kam ardhur për të folur për jetën private, jam këtu për futboll.”

Atmosferë elektrizuese dhe siguri maksimale

Tifozët kuqezi nga Kosova dhe Lugina e Preshevës kanë krijuar një atmosferë festive që nga pika kufitare e Morinës, ndërsa thirrjet “Shqipëri etnike, fitore!” kanë shoqëruar udhëtimin e tyre drejt Tiranës.

Nga ana tjetër, kryeqyteti është ‘blinduar’ për ndeshjen. Janë angazhuar mbi 2000 forca policore, është vendosur një regjim i rreptë kontrolli në kufi dhe rrugët përreth stadiumit janë të bllokuara. Policia ka instaluar gjithashtu kamera inteligjente për garantimin e sigurisë.

Statistikat dhe rëndësia e takimit

Historikisht, Shqipëria nuk ka fituar kurrë në fushë kundër Serbisë. Përballja e fundit në 2014-ën përfundoi 0-3 në tavolinë në favor të kuqezinjve pas incidenteve të rënda. Tani, me një ekip të konsoliduar dhe një stadium të tejmbushur, është koha për të thyer këtë tabu.

Në Grupin K, Shqipëria mban aktualisht vendin e dytë pas fitores ndaj Andorrës dhe humbjes nga Anglia. Serbia, që luan për herë të parë në këtë grup pasi u angazhua në Ligën e Kombeve, shihet si favorite nga kompanitë e basteve, pavarësisht faktit që ndeshja zhvillohet në Tiranë.


Renditja aktuale në Grupin K:

  1. Anglia – 6 pikë
  2. Shqipëria – 3 pikë
  3. Andorra – 0 pikë
  4. Serbia – 0 pikë* (në debutim)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu