
Rreth 20,427 tifozë ishin të pranishëm mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë për të ndjekur sfidën e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Kupa e Botës 2026”. Ndeshja përfundoi me rezultatin 0-0, pas një përballjeje intensive dhe plot emocione.
Kombëtarja kuqezi zhvilloi një lojë të mirë dhe krijoi disa raste për shënim, duke mbajtur kontrollin e mesfushës dhe ritmin e lojës. Kulmi i pjesës së parë erdhi në minutën e fundit, kur Elseid Hysaj fitoi një penallti. Por fatkeqësisht, Rey Manaj nuk arriti ta konkretizojë, pasi gjuajtja e tij u ndal nga portieri serb Djordje Petrovic, i cili bëri një ndërhyrje vendimtare.
Edhe pjesa e dytë solli përpjekje të vazhdueshme nga kuqezinjtë, të cilët ruajtën një lojë të qëndrueshme, por pa mundur të çajnë mbrojtjen e fortë serbe.
Ky rezultat e mban Shqipërinë në vendin e dytë të Grupit K me 4 pikë, pas Anglisë që kryeson me 9 pikë. Pas Shqipërisë renditet Letonia me 3 pikë, Serbia me 1 pikë, ndërsa Andorra mbetet pa pikë.
—
Zhvillimet kryesore minutë pas minute:
90′ | Jepen 6 minuta shtesë
85′ | Ndërrim te Shqipëria: Ylber Ramadani zëvendëson Juljan Shehun
77′ | Serbia detyrohet të bëjë zëvendësim pas dëmtimit të Mitroviç – Luka Joviç hyn në lojë
76′ | Armando Broja largohet, në vend të tij hyn Myrto Uzuni
69′ | Serbia kryen dy zëvendësime: Jan-Carlo Simiç dhe Andrija Maksimoviç hyjnë në lojë
63′ | Sylvinho zëvendëson Arber Hoxhën me Nedim Bajramin
62′ | Rey Manaj i lë vendin Mirlind Daku
54′ | Pritje fantastike e Strakoshës ndaj një goditjeje me kokë nga Mitroviç
46′ | Fillon pjesa e dytë
45+2′ | Mbyllet pjesa e parë
45+2′ | Manaj humbet penalltinë: godet dobët, Petrovic pret
Pavarësisht rezultatit, Shqipëria tregoi karakter dhe përkushtim, duke konfirmuar ambiciet për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2026.