Tiranë, 1 Korrik 2025 – Marrëveshja historike mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e kontributeve shoqërore hyn zyrtarisht në fuqi duke sjellë përfitime të mëdha për mijëra qytetarë që kanë punuar në të dy vendet.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një arritje me ndikim të jashtëzakonshëm për qytetarët shqiptarë dhe italianë. “Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë, por edhe italianë, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut”, shkruan Rama.

Marrëveshja mundëson që vitet e punës të kryera në Shqipëri dhe Itali të mblidhen për efekt pensioni, duke shmangur penalizimet për ata që kanë migruar nga njëri vend në tjetrin. Kjo ishte një kërkesë shumëvjeçare e komunitetit shqiptar në Itali, i cili përbën njërin prej komuniteteve më të mëdha të emigrantëve atje.

Në Itali jetojnë dhe punojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Deri tani, ata që kishin periudha pune në Shqipëri dhe Itali përballeshin me vështirësi për të mbledhur vitet e kontributeve për të përfituar pension të plotë. E njëjta gjë vlente edhe për qytetarët italianë që kishin punuar në Shqipëri pas viteve ’90.

Marrëveshja u nënshkrua në Romë në vitin 2023 nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni, ndërsa në fillim të vitit 2025 kaloi të gjitha procedurat parlamentare në të dyja vendet, duke hyrë sot në zbatim të plotë.

Kjo nismë pritet të ketë impakt jo vetëm social, por edhe ekonomik, duke lehtësuar jetën e mijëra familjeve dhe duke forcuar më tej lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu