Screenshot

Gramsh – Zjarrfikësit e Gramshit kanë përjetuar një nga ndërhyrjet më të vështira të viteve të fundit gjatë aksidentit tragjik në aksin Gramsh–Poroçan, ku një kamion me tonazh të lartë doli nga rruga dhe u rrokullis në një shpat pylli me pjerrësi të madhe.

“Terreni ishte ekstremisht i vështirë, çdo hap ishte rrezik. Minutat dukeshin si orë”, tregojnë zjarrfikësit që ishin të parët në vendngjarje.

Brenda kabinës së shkatërruar ndodheshin tre persona: shoferi, një mësuese dhe një infermiere. Operacioni i shpëtimit nisi menjëherë, mes heshtjes së rëndë të pyllit dhe zhurmës së llamarinave të shtrembëruara.

Sipas zjarrfikësve, fillimisht u përqendruan në nxjerrjen e mësueses, e cila u transportua me urgjencë drejt spitalit. “Ishte një garë me kohën. Çdo sekondë kishte rëndësi”, tregojnë ata.

Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh intensive, duke përdorur mjete prerëse dhe duke çmontuar pjesë të kabinës, u bë e mundur nxjerrja e shoferit të kamionit, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore.

Momenti më i vështirë, sipas tyre, ishte ndërhyrja për infermieren, e mbetur e bllokuar në një pozicion tepër të komplikuar nën mjet. “U gërmua nga poshtë kamionit, me lodhje fizike dhe presion të madh emocional. Shpresa ishte e fundit që u dorëzua”, shprehen zjarrfikësit.

Fatkeqësisht, infermierja u gjet pa shenja jete, duke e kthyer operacionin nga një betejë shpëtimi në një humbje që, sipas tyre, “na preku të gjithëve si njerëz dhe si shërbim”.

Zjarrfikësit falënderojnë banorët e zonës që iu bashkuan ndërhyrjes, si dhe Urgjencën, Spitalin e Gramshit dhe Policinë për bashkëpunimin. “Ishte një mision ku secili dha maksimumin”, theksojnë ata.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu