Pas marrjes së një njoftimi urgjent për një ariu të murrmë të bllokuar në kurth në Trebinjë të Pogradecit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me AdZM Korçë, Qendrën AWRT, stafin e Kopshtit Zoologjik të Tiranës dhe PPNEA, organizoi një operacion të shpejtë dhe profesional shpëtimi.

Ariu u çlirua me sukses dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Për të monitoruar lëvizjet dhe për të garantuar sigurinë e tij, ai është pajisur me një GPS në qafë. Struktura të shumta kontribuan në këtë operacion, përfshirë Policinë e Shtetit, ekipet e terrenit dhe ekspertët e faunës së egër.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve, banorëve dhe turistëve të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse hasin raste të ngjashme me kafshë të egra në nevojë. Reagimi i shpejtë mund të shpëtojë jetë dhe të mbrojë biodiversitetin.

Ndërsa një ari u shpëtua në Pogradec, një ngjarje e rëndë u regjistrua sot në Drashovicë, ku një ujk i rënë në një lavatriçe zhavorri u qëllua me armë nga banorët përpara se të mbërrinin specialistët e thirrur në ndihmë.

Sipas mediave, ekipi i ekspertëve u nis menjëherë drejt zonës, por në momentin e mbërritjes u njoftuan se ujku ishte vrarë dhe groposur. Banorët kanë vepruar të trembur dhe nën efektin e instinktit të vetëmbrojtjes, por veprimi i tyre ka marrë jetë një kafshe të egër me rol të rëndësishëm në ekosistem.

Ekspertët theksojnë se:

Ujku është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin ushqimor.

Eliminimi i tij për motive të momentit dëmton ekuilibrat natyrorë.

Veprime të tilla të nxituara tregojnë mungesë ndërgjegjësimi dhe rrezikojnë marrëdhënien e njeriut me natyrën.

Ndryshe nga perceptimi tradicional që e sheh ujkun si kërcënim, ekspertët rikujtojnë se ai ka rol ekologjik në kontrollin e popullatave të derrit të egër dhe parandalimin e dëmeve në kultura bujqësore.

Autoritetet apelojnë që çdo rast i hasjes me kafshë të egra të trajtohet me kujdes, jo dhunë, dhe të njoftohen menjëherë strukturat përgjegjëse për ndërhyrje profesionale.
Natyra nuk ka zë – bashkë duhet të bëhemi mbrojtësit e saj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu