Një ngjarje me rrezik për jetën u mbyll pa pasoja falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të Policisë Kufitare Vlorë dhe Rojës Bregdetare, të cilat i erdhën në ndihmë disa shtetasve të huaj që ndodheshin në bordin e një velierë në afërsi të ishullit të Sazanit.

Gjatë mbrëmjes së sotme, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare njoftoi për një velierë me flamur të huaj, që ishte nisur nga Italia me destinacion Kroacinë, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe ndodhej në rrezik përmbytjeje dhe përplasjeje për shkak të dallgëve dhe afërsisë me shkëmbinjtë.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Rojës Bregdetare ndërhynë me urgjencë, duke shpëtuar personat në bord dhe duke i transportuar në mënyrë të sigurt drejt bregut. Fatmirësisht, të gjithë shtetasit u konstatuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, u bë e mundur edhe tërheqja e mjetit lundrues drejt SPK Triport, Vlorë.

Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar në garantimin e sigurisë detare dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme në çdo situatë emergjente, në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve të huaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu