
Vërshimet e shkaktuara nga reshjet intensive kanë sjellë probleme të shumta për qytetarët në mbarë Kosovë, ndërsa situata më e vështirë është regjistruar edhe në Mitrovicë. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, disa familje kanë mbetur të ngujuara në banesat e tyre.
Mëngjesin e sotëm, policia dhe ekipet emergjente kanë shpëtuar dy familje në lagjen “2 Korriku”, të cilat ishin të rrethuara nga uji. Sipas raportimeve të mediave vendase, po vijon puna edhe për nxjerrjen në siguri të një familjeje tjetër që ndodhet ende në zonë të rrezikuar.
Ndërkohë, gjatë orëve të natës janë ndihmuar edhe dy familje të tjera, të cilat janë evakuuar dhe dërguar në një vend të sigurt. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencës, ndërsa situata vijon të monitorohet nga afër.






