
Shpërthime të fuqishme kanë goditur një nga aeroportet kryesore të Teheranit, ndërsa Izraeli ka njoftuar se ka përfunduar një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran.
Sipas raportimeve të BBC, aeroporti Mehrabad, një nga më të ngarkuarit në Iran dhe qendra kryesore për fluturimet e brendshme, është goditur gjatë bombardimeve. Dëshmitarët raportojnë për avionë të përfshirë nga flakët dhe shtëllunga të mëdha tymi mbi kryeqytetin iranian.
Ushtria izraelite deklaroi se mbi 80 avionë luftarakë morën pjesë në operacionet ajrore, duke goditur një sërë objektivash ushtarake, përfshirë infrastrukturë të lidhur me Gardën Revolucionare iraniane dhe depo të raketave balistike.
Ndërkohë, presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian ka mbajtur një mesazh televiziv ku ka kërkuar falje ndaj vendeve fqinje për situatën e krijuar dhe ka deklaruar se Irani nuk synon t’i sulmojë ato.
“E konsideroj të nevojshme të kërkoj falje ndaj vendeve fqinje që janë sulmuar. Ne nuk kemi ndërmend të pushtojmë vendet fqinje dhe forcat tona të armatosura janë udhëzuar të mos sulmojnë askënd, përveç nëse Irani sulmohet i pari”, tha ai.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e dytë, ndërsa bombardimet dhe kundërpërgjigjet ushtarake mes Iranit dhe Izraelit vazhdojnë. Sirenat e alarmit janë dëgjuar gjatë natës në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa raketa dhe dronë iranianë janë interceptuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite.
Situata ka ndikuar edhe në transportin ajror në rajon. Aeroporti ndërkombëtar i Dubait ka pezulluar përkohësisht operacionet për arsye sigurie, ndërsa disa kompani ajrore kanë ndërprerë fluturimet.



