
Gjatë vizitës së një delegacioni gazetarësh nga Tirana dhe Prishtina në jug të Izraelit, në Re’im, Negev ku më 7 tetor 2023 u krye masakra ndaj pjesëmarrësve të festivalit “Nova”, grupi u trondit nga disa shpërthime që u dëgjuan papritur shumë pranë. Në momentet e tensionit, një prej të mbijetuarave, nënë e dy fëmijëve e cila po tregonte se si mbijetoi vendngjarje, u ndal dhe reagoi e tronditur.
“Këto shpërthime… janë shumë afër. Kjo është ajo që kemi dëgjuar gjithmonë – kjo është jeta këtu,” tha Mazal Tazazo me zë të dridhur, ndërsa u hodh përpjetë nga zhurma e shpërthimit.
View this post on Instagram
Menjëherë pas shpërthimeve, e mbijetuara vijoi rrëfimin e saj, duke kujtuar momentet e tmerrit të 7 tetorit:
“Në një moment filluam të dëgjonim zëra në arabisht. E kuptuam menjëherë se ishin shumë afër, fizikisht këtu, dhe duhej të fshiheshim.”
Ajo shpjegoi se si të rinjtë e festivalit u përpoqën të shpëtonin mes një terreni të hapur dhe pa strehë:
“Atë ditë rruga kishte pemë të ulëta. Ne vrapuam drejt tyre, u futëm mes degëve vetëm që të ndjenim sikur diçka na mbulonte. Toka është e fortë, me gurë – nuk ke ku të futesh, nuk ke ku të mbrohesh.”
Duke treguar drejt Gazës, vetëm pesë kilometra larg, ajo shtoi:
“Ajo që dëgjojmë tani, kjo është ajo që ndodh atje çdo ditë. Por edhe kur je mësuar, nuk bëhet kurrë e thjeshtë.”
Videon e frikshme të momentit kur shpërthimet ndodhin gjatë rrëfimit e ka dërguar në redaksinë tonë një gazetar nga Kosova që ndodhej në grupin vizitues.







