Një mjet shpërthyes është hedhur tek liqeni i Ujmanit, saktësisht afër pjesës ku po freskoheshin qytetarët.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
“Ka pasur një shpërthim, janë dëmtuar dy vetura. Nuk raportohet për të lënduar. Policia po merret me rastin”, deklaroi Elshani.
Ndërkaq sipas raportimeve thuhet se hedhja e mjetit shpërthyes është bërë pak minuta pas kalimit të autoblindës së policisë.
Liqeni Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë.
Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.
/Telegrafi/