
Një shpërthim me tritol ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Sarandës, duke i marrë jetën një personi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 në lagjen nr. 3, ku një automjet tip Toyota është hedhur në erë me lëndë eksplozive.
Sipas policisë, automjeti ishte në pronësi të Isuf Jacajt, i cili ndodhej brenda në momentin e shpërthimit dhe ka humbur jetën. Burime bëjnë me dije se Isuf Jacaj është babai i 31-vjeçarit Klaus Jacaj, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit” në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Shpërthimi ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe u dëgjua në të gjithë qytetin, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore dhe grupi hetimor, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes, si dhe për dokumentimin ligjor të atentatit.