Një ditë pas protestës kombëtare të opozitës, policia ka bërë bilancin e personave të arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim.
Një person u arrestua, 3 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur dhe 9 persona u shpallën në kërkim policor,
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe ish-komandanti i FNSH Shkodër, Hivzi Bushati.
Një ditë më parë, policia e shtetit njoftoi se nga protesta e opozitës mbetën të plagosur 10 efektivë.
Ndërkohë pas protestës, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha reagoi duke thënë ndër të tjera se një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme.
Sipas tij, mosbindja civile e opozitës nuk do të prodhojë asgjë, ndërsa thekson efektivët e policisë kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd.
“Pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike.Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme”, shkruan ministri./panorama