Për të tretin vit radhazi, u zhvillua këtë të hënë ceremonia e “Topit të Artë”, ku u dhanë çmimet për më të mirët e vitit 2024 në futbollin shqiptar.

yacht hotel sarande

Bekim Balaj është shpallur “Topi i Artë” 2024 në Kampionatin Shqiptar të Futbollit. Futbollisti i Vllaznisë fitoi çmimin e futbollisti më të mirë të vitit, pas një gare të fortë me Arinaldo Rrapajn, Albano Aleksin dhe Ermir Rashicën.

Çmimin e “Topit të Artë” në Mbrëmjen Gala ia dorëzoi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e uroi Balajn për këtë arritje.

Nga ana e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, përgëzoi FSHF-në për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm dhe shprehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit më të rëndësishëm të mbrëmjes.

Me 18 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2023-2024, Bekim Balaj është fituesi i “Këpucës së Artë” në Kampionatin Shqiptar të Futbollit.

Balaj shënoi gola të rëndësishëm dhe me skuadrën e Vllaznisë, luftoi deri në fund për titullin kampion, duke arritur me plot meritë në “Final Four”.

Çmimin e “Këpucës së Artë” ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, i cili e përgëzoi Balajn dhe e uroi për më shumë sukses në të ardhmen.

Edhe në sezonin aktual (2024-2025), Bekim Balaj vazhdon të kryesojë renditjen e golashënuesve në Kampionatin Shqiptar të Futbollit me 13 gola.

 

Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024, ndërsa në garë për këtë çmim ishin edhe Ermal Meta i Tiranës, Ledjo Tresa i Laçit dhe Ergis Arifi i Teutës.

Sulmuesi i Skënderbeut zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe duke udhëhequr skuadrën drejt objektivit “Final Four”.

Çmimin Ermir Rashicës ia dorëzuan djemtë e dy legjendave të futbollit shqiptar, Sefedin Braho dhe Sabah Bizi, të cilët janë ndarë nga jeta. Mes emocioneve, Florian Braho dhe Brikeno Bizi uruan Rashicën për këtë çmim të veçantë.

Pas marrjes së çmimit, Ermir Rashica falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i shprehu mirënjohjen për vlerësimin.

Në mbrëmjen gala të organizuar sonte nga FSHF në Teatrin e Operas dhe Baletit, dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e Vitit” për djem e vajza. Mes vajzave të nominurara për këtë trofe ishin: Angela Nikaj, Klesta Ago, Herta Hasa dhe Xhesika Ndoj.

 

Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë për vajza, “Talentja e vitit” 2024. E karakterizuar nga shpirti i garës dhe dashuria e madhe për futbollin, lojtarja e Apolonisë është vlerësuar për të fituar këtë çmim të rëndësishëm dhe motivues për të ardhmen.

Trajnerja e ekipit Kombëtar U-19 për vajza, Luçije Gjini u ngjit në skenë për t’i dorëzuar Xhesikës trofeun.

 

Po ashtu është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit ndërsa në skenë është ftuar Sulejman Mema i cili lexoi emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisioneve sportive në televizionet shqiptare.

Nga porta në sulm, 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre përgjatë vitit 2024 janë këto: Alen Sherri (portier), Edison Ndreca (mbrojtës i majtë), Renato Malota (qendërmbrojtës), Arbenit Xhemajli (qendërmbrojtës), Arsid Kruja (mbrojtës i djathtë), Arinaldo Rrapaj (mesfushor i majtë), Albano Aleksi (mesfushor qendre), Arbin Zejnullai (mesfushor i djathtë), Ermir Rashica (sulmues i majtë), Bekim Balaj (sulmues qendre) dhe Baton Zabërgja (sulmues i djathtë).

11 futbollistët u ngjitën në skenë dhe tërhoqën çmimet, teksa nuk munguan falënderimet e rastit dhe një foto e të gjithë ekipit së bashku.

 

Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është “Topi i Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).

Trofeun e rëndësishëm ia dorëzoi Ezmiralda Franjes i ftuari special i FSHF-së në këtë event special, Gaizka Mendieta. Ish-futbollisti i njohur ka qenë kapiten i Valencias, ka luajtur me Barcelonën, Lazion etj, si edhe me kombëtaren e Spanjës. Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”

Ezmiralda Franja fiton për herë të parë këtë trofe, teksa ka qenë në listën e të nominuareve edhe në edicionet e kaluara. Mes shumë emocionesh, mesfushorja e talentuar tha: Sot jam shumë e lumtur, nuk e kam menduar që do arrija kaq lart kur nisa të luaja futboll. Falënderoj Presidentin e Vllaznisë, Lazer Matija dhe shoqet e ekipit që bënë të mundur që unë të fitoj këtë trofe. Ia dedikoj familjes time dhe në veçanti mamit tim, që ëndërroi të bëhej futbolliste, por nuk ia doli dot”.

 

Edlir Tetova është shpallur “Trajneri i Vitit” 2024. Tekniku shqiptar bëri histori me klubin e Egnatias përgjatë këtij sezoni, duke e udhëhequr drejt titullit të parë kampion në “Abissnet Superiore” dhe duke plotësuar tripletën me Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

Mes të nominuarëve ishin edhe Orges Shehi, Ivan Gvozdenovic dhe Ilir Daja.

Në mbrëmjen gala që po mbahet sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit, zëvendës-trajneri i ekipit kombëtar, Pablo Zabaleta i dorëzoi Edlir Tetovës këtë trofe të rëndësishëm.

Pasi mori trofeun, trajneri i Egnatias u shpreh: ‘Falënderim për Presidentin e Federatës për këtë super event dhe klubin e Egnatias me në krye Presidentin Demrozi. Falenderim edhe për çunat e mi të Egnatias’.

 

Juxhin Xhaja është zgjedhur “Arbitri i Vitit” 2024 në Mbrëmjen Gala të organizuar nga FSHF. Xhaja, një nga arbitrat më të dalluar në Shqipëri dhe arbitër i FIFA-s që nga viti 2018, ka spikatur për performancën e tij gjatë vitit 2024, duke vendosur drejtësi edhe në kompeticionet më të rëndësishme europiane si Europa League, Conference League dhe Nations League.

Abritrat e tjerë në garë për këtë çmim ishin Eldorian Hamiti, Enea Jorgji dhe Kreshnik Cjapi.

Në këtë ngjarje speciale, Hiqmet Kuka, ish-arbitër shqiptar i pajisur me stemën e FIFA-s ishte pikërisht ai që ia dorëzoi çmimin “Arbitri i Vitit” 2024 Juxhin Xhajës.

Në fjalën e tij, Hiqmet Kuka shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024 dhe përgëzoi Xhajën për këtë arritje.

Juxhin Xhaja u shpreh mjaft i lumtur që çmimi iu dorëzua nga një prej arbitrave më të njohur në Europë dhe i falënderoi të gjithë për vlerësimin.

 

Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.

Çmimin e veçantë ia dorëzoi trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, Sevime Gjimshitit, nënës së Berat Gjimshitit, i cili për shkak të angazhimeve me klubin e tij, e kishte të pamundur të ishte i pranishëm.

Gjimshiti, që aktivizohet me Atalantën në Serie A dhe mban shiritin e kapitenit te Kombëtarja shqiptare, ka pasur një vit të jashtëzakonshëm. Ai udhëhoqi Atalantën drejt triumfit historik në UEFA Europa League dhe ishte një figurë kyçe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë nga votat e lojtarëve të Kombëtares.

 

Në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit , një moment i veçantë ishte ndarja e çmimit “Zemër Kuq e Zi” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani.

Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.

Çmimi “Zemër Kuq e Zi” iu dorëzua Ramadanit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe tifozi i Kombëtares, Besmir Limani, i njohur ndryshe si “Fytyra me Shqiponjë”.

I emocinuar, mesfushori kuqezi tha: “I nderuar që marr këtë çmim dhe premtoj që do të jap më shumë që të ecë përpara Shqipëria”./euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu