
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku shkon në GJKKO. Gjykata e Posaçme mban, seancën gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit. Balluku duket se ka përforcuar mbrojtjen e saj. Mësohet se krahas motrës, Pamela Qirko, pjesë e ekipit është dhe avokati Ardian Kalia.
Edhe dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Belinda Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, janë thirrur sot në GJKKO, ku do të mbahet seanca për komunikimin e masës së sigurisë. Dy zyrtarët, që janë në ‘arrest shtëpie’ janë shoqëruar në Gjykatën e Posaçme nga forca policie.

GJKKO thekson se tre të pandehurit janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, ku dyshohen për paracaktimin e kontraktorëve fitues.
Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Balluku po hetohet për tenderin e tunelit të Llogarasë si dhe për lotin nr.4 të Unazës së Madhe, ndërsa akuzohet për shkelje të barazisë në tendera./balkanweb







