
Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të mbetet ndër më të lartët në rajon, duke krijuar një diferencë të fortë me vendet fqinje. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut një litër naftë shitet rreth 140 lekë, në Shqipëri çmimi ka arritur në mbi 214 lekë dhe në disa raste deri në 220 lekë për litër.
Kontrasti është i dukshëm: në vendet e rajonit janë ndërmarrë masa për të ulur barrën për qytetarët, përmes subvencioneve dhe uljes së akcizës, ndërsa në Shqipëri çmimet vijojnë të mbeten të larta, pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut nafta tregtohet nga 88 deri në 92.2 denarë për litër, që përkthehet rreth 140-143 lekë. Ndërkohë, në tregun shqiptar, qytetarët po përballen me një çmim dukshëm më të lartë, duke rritur kostot e jetesës dhe transportit.
Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e një rezerve shtetërore të naftës në Shqipëri. Edhe pse prej vitesh është premtuar krijimi i saj, projekti ende nuk është realizuar. Pa këtë instrument, shteti nuk ka mundësi reale për të ndërhyrë në treg në rast rritjeje çmimesh.
Ndërkohë, masat e ndërmarra deri më tani, si bordi i transparencës apo task-forcat, nuk kanë dhënë efekt në uljen e çmimeve në pompë, duke bërë që barra të bjerë drejtpërdrejt mbi qytetarët.






