
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës Taulant Balla, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli kanë vizituar sot ambientet e shkollës 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamëz, duke u njohur nga afër me kushtet dhe investimet e realizuara në këtë institucion arsimor.
Shkolla, e cila mban emrin e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, përfaqëson një simbol mirënjohjeje për kontributin e saj në mbështetje të Shqipërisë dhe rajonit gjatë viteve të drejtimit të saj.

Me këtë rast, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Balla përcolli një ftesë të veçantë dhe mjaft domethënëse për Merkel, duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë dhe shkollën që mban emrin e saj.
“Një përshëndetje dhe një ftesë për një mike të veçantë të Shqipërisë: Kancelaren historike gjermane, Angela Merkel”, u shpreh Balla.
Kjo ftesë vjen jo vetëm si një gjest simbolik respekti, por edhe si një dëshmi e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të ndërtuara ndër vite mbi bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë.






