
Një 38-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia këtë premte, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta për shkak të detyrës punonjësen e OSHEE-s, Rubena Hasa, 37 vjeçe.
Rubena Hasa, me detyrë faturiste e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë, u dhunua nga Spartak Cara pasi shkoi për të kontrolluar sahatin e energjisë në lokalin e këtij të fundit, në rrugën “Artan Lenja”.
Faturistja dyshohet se është sulmuar nga 38-vjeçari, menjëherë sapo është konstatuar. Pavarësisht tentativave të saj për të treguar se kishte ardhur vetëm për të lexuar sahatin, 38-vjeçari e ka goditur në të gjithë trupin.
Hasa u dërguar pranë Spitalit të Traumës në kryeqytet dhe mësohet se është e ndërgjegjshme, por bluzat e bardha po e mbajnë në kujdes të vazhdueshëm.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit S. C., 38 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, me datë 25.04,2025, rreth orës 13:00, dyshohet se ka goditur me sende të forta për shkak të detyrës shtetasen R. H., 37 vjeçe (punonjëse e OSHEE-s) e cila kishte shkuar për të parë sahatin e dritave në lokalin që 38-vjeçari posedon në rrugën ‘’Artan Lenja’’. Si pasojë është dëmtuar 37-vjeçarja, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”,- njoftoi Policia e Tiranës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./shqiptarja