At Vitor Demaj thotë se “ Kjo konferencë sjell risi edhe përmes studiuesve që do të sjellin aspekte të reja. Po ashtu, do të sjellë risi edhe si nxitje për ne si popull, si qytetarë shqiptarë, për të reflektuar rreth disa temave që sikur i kemi harruar gjatë këtyre 34 viteve që kaluam nga ai sistem i egër. Ndaj, vepra e At Zef Pllumit paraqitet aktuale”.
At Vitor Demaj thotë se, At Zef Pllumi, falë kujtesës dhe aftësive të tij, na dhuroi veprën madhore “Rrno vetëm për me tregue”, por edhe vepra të tjera që trajtojnë çështje të kulturës shqiptare dhe identitetit kombëtar.
Për profesor Sabri Hamitin nga Kosova, At Zef Pllumi është françeskani arbëror më atipik dhe i madhi i shekullit të 20-të. Françeskani At Zef Pllumi, thotë profesor Hamiti, është i vetmi që nuk ka bërë kurrë studime jashtë, që të gjithë shërbimet kulturore dhe fetare i ka bërë në vend, që të gjithë librat i ka shkruar në shqip dhe botuar në vend. Por, librat e tij kanë ‘pushtuar’ hapësirën botërore të letërsisë në përkthime.
“Ai është themeluesi i prozës dokumentare të kombinuar me prozën autobiografike. Në këtë formë e ka krijuar një vepër fondamentale që është “Rrno vetëm për me tregue”. Por, nuk është vetëm kjo. Në veprat e tjera, këto pika të kërkimeve, qoftë autobiografike, qoftë dokumentare, marrin pikëzim në kohën dhe hapësirën shqiptare për t’a mbaruar mozaikun kulturor të shkrimtaristikës”, thotë zoti Hamiti.
Për profesor Artan Haxhin, At Zef Pllumi ka ardhur në heshtje, plot dhimbje dhe vuajtje, por me dinjitetin e njeriut që dëshmon për një nga periudhat më të dhimbshme të popullit të tij.
“Unë mund ta quaja memoristi kryesor në letërsinë shqiptare, sepse me dokumentet, me materialet, me librat e tij ai sjell mjaft të reja, të cilat pakkush ka patur guximin t’i paraqesë”, thotë ai.
At Zef Pllumi ishte françeskani i fundit që i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist. 23 vitet e dënimit me burgim ai i kaloi në disa nga burgjet më të egra në Shqipëri; në burgun e Spaçit, në Reps, Ballsh, Zejmen -Shënkoll, Skrofotinë të Vlorës, Shën Vasil dhe Tiranë.
Pas rrëzimit të komunizmit, ndihmon në ringritjen e institucioneve fetare, ribotimin e revistës françeskane “Hylli i Dritës” si dhe nisbotimin e veprave të tij. Ai ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007, në spitalin Gemeli në Romë. At Zef Pllumi është fitues i çmimit letrar “Penda e Artë”, ndërsa në vitin 2006 është nderuar me urdhërin “Nderi i Kombit”./voa