
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të martë në burgun e Shkodrës, ku është gjetur i varur në dhomën e tij i paraburgosuri Brendon Ronald Saporito, 57 vjeç, me shtetësi amerikane.
Sipas njoftimit zyrtar, Saporito u gjet nga bashkëvuajtësit ende me shenja jete dhe u dërgua menjëherë në Spitalin e Koplikut, por pavarësisht ndihmës së parë dhe përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë. Ai mbahej në paraburgim me vendim të Gjykatës së Shkodrës për akuzën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Amerikani ishte arrestuar më 2 maj 2025, pasi vrau me thikë bashkëshorten e tij, Sandra Saporito, në banesën që çifti kishin marrë me qira në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës. Sipas hetimeve të asaj kohe, krimi ndodhi pas një konflikti në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta.
Drejtoria e IEVP Shkodër njoftoi se ngjarja është raportuar menjëherë tek autoritetet kompetente, ndërsa Prokuroria dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po hetojnë për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.







