
Një kompani amerikane ka krijuar një lloj të ri druri që, sipas saj, ka deri në 10 herë raportin forcë-peshë të çelikut dhe është deri në gjashtë herë më i lehtë.
“Superdruri” është tani një produkt komercial, i prodhuar nga InventWood, një kompani e bashkëthemeluar nga shkencëtari i materialeve Liangbing Hu.
Më shumë se një dekadë më parë, Hu nisi një kërkim për të rishpikur njërin nga materialet më të vjetra ndërtimore të njohura për njerëzimin. Ndërsa punonte në Qendrën për Inovacion të Materialeve në Universitetin e Maryland-it, Hu – tani profesor në Yale – gjeti mënyra novatore për të rikonfiguruar drurin. Madje arriti ta bënte transparent duke hequr një nga përbërësit kryesorë të tij, ligninën, e cila i jep drurit ngjyrën dhe një pjesë të forcës.
Qëllimi i tij i vërtetë ishte ta bënte drurin më të fortë, duke përdorur celulozën – përbërësin kryesor të fibrave bimore dhe “biopolimerin më të bollshëm në planet”, sipas Hu.
Përparimi ndodhi në vitin 2017, kur Hu forcoi drurin e zakonshëm përmes trajtimit kimik që përmirësonte celulozën natyrore, duke e bërë atë një material ndërtimi më të mirë.
Druri fillimisht ziej në një përzierje uji dhe kimikatesh të zgjedhura, pastaj shtypej në nxehtësi për të shembur strukturën qelizore, duke e bërë shumë më të dendur. Në fund të procesit njëjavor, druri i përftuar kishte një raport forcë-peshë “më të lartë se shumica e metaleve dhe aliazheve strukturore”, sipas studimit të publikuar në revistën Nature.
Pas viteve të përmirësimit të procesit dhe më shumë se 140 patentave, Superdruri është hedhur në treg.
“Nga pikëpamja kimike dhe praktike, është dru,” shpjegon CEO i InventWood, Alex Lau. Në ndërtim, kjo do të lejonte struktura deri në katër herë më të lehta se ato aktuale, më rezistente ndaj tërmeteve dhe më të lehta për themelet – duke e bërë ndërtimin më të shpejtë dhe më të thjeshtë.
“Duket si dru dhe sillet si dru kur testohet,” shton Lau, “por është shumë më i fortë dhe më i mirë se druri në pothuajse çdo aspekt që kemi testuar.”
Konkurrues me çelikun?
InventWood po prodhon Superdrurin në fabrikën e saj në Frederick, Maryland. Edhe pse koha e prodhimit tani matet në orë, do të duhet kohë për ta shkallëzuar.
Fillimisht, kompania do të fokusohet në aplikime të jashtme si veshje fasadash dhe dysheme, për të kaluar më vonë në përdorime të brendshme si panele muri, dysheme dhe mobilje shtëpiake.
“Mobiljet shpesh dëmtohen me kalimin e kohës sepse lëshohen ose thyhen në nyje, të cilat aktualisht janë prej metali sepse druri nuk është mjaftueshëm i fortë,” thotë Lau. Superdruri mund të zëvendësojë këto pjesë, si edhe vidat, gozhdat dhe lidhëset metalike.
Në teori, çdo lloj druri mund të përdoret. Në praktikë, janë testuar 19 lloje druri dhe bambu – dhe ka funksionuar me të gjitha.
InventWood thotë se Superdruri është deri në 20 herë më i fortë se druri i zakonshëm dhe deri në 10 herë më rezistent ndaj goditjeve, falë strukturës natyrore poroze që është shembur dhe forcuar. Kjo e bën të papërshkueshëm nga kërpudhat dhe insektet. Ai gjithashtu merr vlerësimin më të lartë në testet standarde të rezistencës ndaj zjarrit.
Edhe pse aktualisht kushton më shumë se druri i zakonshëm dhe ka një gjurmë më të madhe karboni në prodhim, krahasuar me çelikun, emetimet e karbonit janë 90% më të ulëta.
Qëllimi, sipas Lau, nuk është të jetë më i lirë se druri, por të konkurrojë me çelikun kur prodhimi të rritet.

Trendi i drurit
Lloje të tjera druri të inxhinieruar kanë ekzistuar prej kohësh si materiale ndërtimi, por InventWood thotë se ato janë thjesht pjesë druri të riorganizuara me ngjitës, jo të modifikuara në nivel molekular si Superdruri.
Ndërtimi me dru ka pasur një ringjallje vitet e fundit, madje edhe për ndërtimin e rrokaqiejve. Milwaukee, që tashmë ka kullën më të lartë prej druri në botë (Ascent MKE, 87 metra), ka plane për një tjetër edhe më të lartë – 183 metra.
Betoni është materiali më i përdorur ndërtimor në botë, por prodhimi i tij gjeneron 7% të emetimeve globale të karbonit.
Philip Oldfield, profesor arkitekture në Universitetin e New South Wales në Australi, thotë se druri ka përparësi mjedisore ndaj çelikut dhe betonit, sepse prodhimi i tij është më pak intensiv dhe druri ruan CO₂ në biomasa përmes fotosintezës. “Produktet prej druri mund të konsiderohen si sisteme afatgjata për ruajtjen e karbonit,” shton ai.
Megjithatë, ai thekson se produktet ekzistuese të drurit të inxhinieruar tashmë konkurrojnë me çelikun dhe betonin. “Pengesa për më shumë ndërtesa prej druri nuk është mungesa e forcës,” shpjegon ai, “por fakti që industria e ndërtimit është e ngadaltë për të ndryshuar.”
Ai argumenton se për të parë më shumë ndërtesa prej druri, nevojiten edukim më i mirë, projekte pilot dhe përmirësim i rregulloreve. “Por produkte më të forta si Superdruri mund t’u japin arkitektëve mundësinë të krijojnë hapësira më të gjera dhe përfundime më të qëndrueshme me dru – gjë që do të ishte shumë e dobishme.”




