
Fizikanët në Universitetin Loughborough në Britani kanë ndërtuar atë që e quajnë “violina më e vogël në botë” – dhe për ta parë, do t’ju duhet një mikroskop.
E krijuar përmes teknologjisë nanolitografike, instrumenti mikroskopik është ndërtuar prej platini, dhe mat 35 mikron në gjatësi dhe 13 mikron në gjerësi – më e vogël se një grimcë pluhuri, dhe aq e imët sa mund të futet në gjatësinë e një qime floku njerëzor.
Edhe pse “violina” nuk luan muzikë, ajo është një imazh i gdhendur në një çip dhe nuk ka funksion praktik muzikor. Ajo u krijua si pjesë e testimeve të sistemit të ri të nanolitografisë të universitetit, i cili u mundëson shkencëtarëve të ndërtojnë dhe studiojnë struktura në përmasa nano.
Projekti është edhe një referencë satirike ndaj frazës angleze “Can you hear the world’s smallest violin playing just for you?” – që përdoret zakonisht për të ironizuar dramatizimin e tepërt të dikujt.
“Edhe pse mund të duket si një lojë, ndërtimi i violinës më të vogël në botë ka kontribuar në mënyrë thelbësore në zhvillimin e kërkimeve tona,” – shprehet profesorja e fizikës eksperimentale, Kelly Morrison.
Si u ndërtua?
Violina u krijua përmes një makinerie të quajtur NanoFrazor – një “nano-skulptor” që përdor një majë të nxehtë si gjilpërë, për të “gdhendur” modele mbi një sipërfaqe të mbuluar me material xhelatinoz. Më pas, pjesa e brendshme e xhelit u tret dhe formoi një boshllëk në formë violine, i cili u mbush me një shtresë të hollë platini.
Prototipi i parë u përfundua për tre orë, por versioni final mori disa muaj pune.
“Zhvillimi i teknologjive më të shpejta, më të mira dhe më efikase kërkon që të zbresim në këtë shkallë të imët për të kuptuar se si sillen materialet,” – tha Morrison.
Violina e padëgjueshme, por me ndikim të madh shkencor, shënon një hap të ri në fushën e nanoteknologjisë dhe vërteton se ndonjëherë, gjërat më të vogla mund të bëjnë zhurmën më të madhe – të paktën në emër të shkencës.