TIRANË – Gjykata Kushtetuese po mban sot seancën për shqyrtimin e masës së sigurisë “pezullim nga ushtrimi i detyrës publike”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Seanca  vjen pas ankimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton vendimin e GJKKO-së, duke pretenduar se është shkelur kompetenca kushtetuese e kreut të ekzekutivit.

Kryeministri Rama e ka cilësuar ndërhyrjen e gjyqësorit në pezullimin e një ministri si një precedent të rrezikshëm, që sipas tij cenon ndarjen e pushteteve dhe hap rrugë për presione politike ndaj qeverisë. Ai e ka argumentuar ankimin si një betejë për mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe të kompetencave kryeministrore.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së, pasi u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas SPAK, ajo dyshohet se ka manipuluar dy procedura tenderimi me vlerë rreth 210 milionë euro, në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara. Dosja përfshin gjithashtu edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera lidhur me projektin e Unazës së Madhe.

Aktualisht, Balluku është rikthyer përkohësisht në detyrë, pas një vendimi paraprak të Gjykatës Kushtetuese, deri në shqyrtimin përfundimtar të ankimit të kryeministrit. Megjithatë, masa e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe bllokimi i pasaportës, e vendosur nga GJKKO, mbetet ende në fuqi.

Belinda Balluku është pjesë e kabinetit qeveritar që prej vitit 2019 dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton një nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në çështjen konkrete, por edhe në raportet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu