Një operacion i gjerë policor i koduar “Puzzle” ka çuar në goditjen e një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Si rezultat, janë arrestuar 10 persona dhe janë shpallur në kërkim edhe 2 të tjerë.

Në pranga kanë rënë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu, Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi. Të dyshuarit akuzohen se siguroni armë zjarri kryesisht nga Kosova dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, për t’i transportuar më pas drejt Tiranës me qëllim shitjeje.

Gjatë hetimeve që zgjatën mbi pesë muaj dhe u zhvilluan me metoda proaktive, më 1 prill 2025 u arrestuan në flagrancë Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi me dy armë zjarri të dyshuara të trafikuara nga Kosova.

Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e Kevin Farrukut, u gjetën dhe sekuestruan 2077 fara kanabisi. Në total, operacioni çoi në sekuestrimin e 14 armëve të zjarrit (12 pistoleta, mes tyre një me silenciator, dhe 2 automatikë), municion luftarak, krehra, tre automjete dhe tetë celularë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po vijon puna për kapjen e personave ende në kërkim dhe zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale në bashkëpunim me autoritetet kosovare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu