Pas ngjarjes së rëndë në Devoll, ku 32-vjeçari Ilir Topçiu u mor me forcë nga banesa, u dhunua dhe u kërcënua për jetën, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të forta disiplinore ndaj drejtuesve të strukturave lokale të policisë.

Në bazë të analizës së zhvilluar mbi menaxhimin e situatës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Erion Ahmeti, dhe pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve, Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Ndërkohë, është nisur hetim disiplinor ndaj gjithë zinxhirit drejtues të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave ligjore që sollën pasoja serioze në imazhin e policisë në komunitet.

Sipas njoftimit zyrtar, deri në përfundim të konkursit për drejtor të ri vendor, në krye të Policisë së Korçës është caktuar përkohësisht Drejtues Islor Islami, i cili deri më sot mbante postin e Drejtorit të Kufirit dhe Migracionit në Kukës.

Ngjarja që tronditi Devollin ndodhi më 27 tetor, kur Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, së bashku me Marsel Buçin dhe Trajan Çelikun, morën peng dhe dhunuan Ilir Topçiun për shkak të prishjes së pazareve të dyshuara për kontrabandë. Tre personat janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza për heqje të paligjshme të lirisë, kanosje dhe plagosje të lehtë me dashje.

Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë me përgjegjësi çdo analizë të rasteve të mosveprimit profesional, duke marrë masa të menjëhershme ndaj çdo punonjësi që shkel ligjin dhe standardet e shërbimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu