
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me situatën e rëndë të përmbytjeve në Durrës, duke publikuar pamje nga terreni dhe duke vënë theksin te ndotja dhe bllokimi i kanaleve kulluese nga mbetjet urbane.
Në reagimin e tij, Rama shprehet se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike në fusha dhe anë rrugësh është kthyer në një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve, sidomos gjatë reshjeve intensive.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det. Por kur shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk arrijnë dot në det si zakonisht, sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…”, shkruan kryeministri.
Sipas Ramës, pamjet tregojnë qartë se kanalet kulluese janë bllokuar nga mbeturinat, duke penguar shkarkimin normal të ujërave drejt detit dhe duke shkaktuar përmbytje masive në zona të banuara.
Durrësi është një nga qytetet më të goditura nga moti i keq ditët e fundit, me qindra banesa nën ujë, evakuime dhe dëme të konsiderueshme materiale. Autoritetet vijojnë ndërhyrjet në terren, ndërsa situata mbetet problematike në disa zona periferike.



