
Majlinda Demollari, noterja që kishte përpiluar 2 kontrata shitje për të njëjtin apartament, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim disa javë më parë.
Por pas arrestimit nga policia, noterja 57-vjeçare u la e lirë pas konsultimit me prokurorin e çështjes, i cili vendosi ta hetojë në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kapën shtetasen e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Apartamentet”, M. D., 57 vjeçe, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si notere, ka përpiluar 2 kontrata shitjeje për të njëjtin apartament.
Në përfundim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me prokurorin, për 57-vjeçaren nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, njofton Policia e Tiranës.