
Diamanti i rrallë i kaltër “Blu Mesdhetar” me peshë 10,03 karatë është shitur në një ankand në Gjenevë për 19,2 milionë euro, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s. Tobijas Kormind, drejtor i kompanisë 77 Diamonds, argjendaria më e madhe online në Evropë, tha se shitja e diamantit, vlera e të cilit ishte vlerësuar në 20 milionë dollarë (rreth 17,8 milionë euro), ishte “më pak mbresëlënëse” nga sa pritej.
“Diamanti e tejkaloi vlerësimin fillestar prej 20 milionë dollarësh, gjë që tregon për një interes të konsiderueshëm. Por pasiguria e përgjithshme, përfshirë tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndoshta ka ndikuar në uljen e besimit të ofruesve”-tha Kormind. Shtëpia e ankandeve Sotheby’s bëri të ditur se një koleksionist amerikan fitoi gurin e çmuar pas një gare mes dy ofertuesve, e cila filloi nga nëntë milionë franga zvicerane (rreth 9,6 milionë euro) dhe zgjati “gati tre minuta”.
Shefi i departamentit të bizhuterive të Sotheby’s për Amerikën e Veriut, Evropën dhe Lindjen e Mesme, Quig Bruning, e përshkroi këtë diamant si “gurin kryesor të sezonit”, që renditet ndër më të mirët nga diamantët blu që janë shitur ndonjëherë. “Diamantët blu ndodhen në majë të piramidës së rrallësisë”-tha Bruning. Diamanti është zbuluar së fundmi në minierën legjendare Cullinan në Afrikën e Jugut.
Ndërkaq, në vitin 2017, në një fshat të Sierra Leones, dy adoleshentë, Komba Johnbull dhe Andrew Saffea, atëherë 16 vjeç, bënë një zbulim të jashtëzakonshëm: një diamant prej 709 karatësh, një ndër më të mëdhenjtë e gjetur ndonjëherë në botë. Zbulimi ndodhi gjatë punës së tyre në minierën e fshatit Koyadu, në lindje të vendit, ku ata punonin në kushte të vështira në këmbim të ushqimit dhe materialeve për familjet e tyre.