
Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga policia në qytetin e Vlorës, ku një konflikt mes dy drejtuesish mjetesh mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda për jetën.
Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Rrethi i Skelës”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, njëri prej të përfshirëve, shtetasi E. H., 25 vjeç, goditi në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij makinën e një 18-vjeçari, shtetasit G. D., duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndonëse jashtë shërbimit në atë moment, në bashkëpunim me forcat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndërhynë menjëherë dhe neutralizuan autorin, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Pas veprimeve procedurale, E. H. u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë. Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 154 dhe 274 të Kodit Penal.
Materialet në ngarkim të tij i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.