Gazetari Bledian Koka ka dhënë detaje të reja lidhur me përplasjen e dhunshme që ndodhi në afërsi të një shkolle në Kamëz, duke zbuluar se ngjarja lidhet me një vetëvrasje tragjike të një 16-vjeçareje, e ndodhur vetëm pak ditë më parë.

Sipas Kokës, konflikti mes dy grupeve të të rinjve ka nisur pasi njëri grup ka sulmuar personat që dyshohet se kishin bullizuar vajzën, e cila më pas i dha fund jetës. “Është vetëvrasja e 16-vjeçares që ka shkaktuar këtë përplasje,” tha ai, duke theksuar se kjo është pista kryesore që po hetohet aktualisht nga autoritetet.

“Kur ndodh një ngjarje e tillë vetëm pak metra larg shkollës, në një zonë ku ka njerëz monitorues dhe struktura sigurie, duhet të kishte ndërhyrje të menjëhershme. Këtu ka një problem serioz me mënyrën si funksionon sistemi,” u shpreh gazetari.

Koka vuri në dukje se shkolla duhet të jetë një vend i sigurt, pavarësisht situatave familjare apo sociale të nxënësve:

“Prindërit i çojnë fëmijët në shkollë jo vetëm për të mësuar, por edhe për t’u ndjerë të sigurt. Edhe nëse familjet janë problematike, shkolla duhet të ofrojë garanci.”

Ai theksoi gjithashtu mungesën e një mekanizmi të qartë reagimi në raste të tilla, duke ngritur pyetjen pse, ndonëse ngjarja ndodhi shumë afër komisariatit të policisë, ndërhyrja nuk ishte e menjëhershme.

Ngjarja e Kamzës ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivacionin dhe përgjegjësitë, si për vetëvrasjen e 16-vjeçares, ashtu edhe për përplasjen mes grupeve të të rinjve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu