
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas inspektimit të një qendre votimi në Vorë, ku më herët ishte raportuar për një përplasje verbale mes kandidatëve të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, dhe disa qytetarëve.
I pyetur nga mediat mbi këtë incident, Celibashi tha se nuk kishte informacion të detajuar mbi shkaqet e konfliktit, por theksoi rëndësinë e shmangies së tensioneve në terren dhe ndjekjes së kanaleve institucionale për adresimin e çdo shqetësimi.
“Nuk di të them se mbi çfarë baze ka ndodhur ai konflikt, por një gjë mund ta them me siguri: është më me dobi dhe më e vlefshme që përfaqësuesit politikë t’i drejtohen KQZ-së për çdo shqetësim,” u shpreh Celibashi.
Ai u bëri thirrje të gjithë kandidatëve për deputetë që të qëndrojnë larg qendrave të votimit gjatë ditës së zgjedhjeve për të shmangur tensione apo situata të panevojshme.
“E kuptoj që në terren situatat nuk janë gjithmonë të qeta, por është me vend që kandidatët për deputetë të shmangin praninë në qendrat e votimit,” theksoi ai./balkanweb