Një incident është shënuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në një nga lokalet e natës në Palasë, Himarë, ku dy persona janë përfshirë në një përplasje të dhunshme që përfundoi me prishje të rendit publik dhe dëme materiale.

Policia e Dhërmiut ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve F. P., 34 vjeç, rezident në Itali, dhe Xh. S., 31 vjeç, nga Tirana. Të dy akuzohen për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45 të datës 19 korrik, kur, për motive të dobëta, dy të rinjtë kanë nisur një konflikt verbal që më pas ka përshkallëzuar në dhunë fizike. Ata kanë hedhur gota dhe shishe qelqi drejt njëri-tjetrit, duke shkaktuar panik dhe largim të klientëve nga ambienti si dhe dëme materiale në lokal.

Fatmirësisht, asnjëri prej të përfshirëve nuk ka pësuar lëndime fizike dhe nuk është depozituar kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit.

Policia thekson se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu