Një tjetër episod i rëndë dhune ka tronditur Burgu i Reçit, ku dy të burgosur janë përfshirë në një konflikt të ashpër fizik, duke përfunduar me dëmtime të rënda në spitalin e burgut në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se shtetasit Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë përplasur fillimisht gjatë drekës, ku ndodheshin edhe persona të tjerë. Konflikti verbal ka degraduar shpejt në sherr fizik, ku sipas informacioneve, Mikel Thani është ndihmuar edhe nga disa të burgosur të tjerë.

Përplasja ka qenë e ashpër, duke sjellë dëmtime serioze për të dy, çka ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë. Rojet e burgut kanë neutralizuar situatën dhe kanë bërë ndarjen e të përfshirëve në konflikt.

Pas sherrit, Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë transportuar drejt Tiranës për të marrë mjekim të specializuar, për shkak të plagëve të rënda të pësuara në trup.

Mikel Thani është arrestuar në vitin 2015, i dyshuar për plagosjen e prindërve të ish të fejuarës së tij dhe të mbesës së tyre, ndërsa Astmer Bilali është i arrestuar në kuadër të dosjes së bujshme “Metamorfoza”.

Ky nuk është rasti i parë i incidenteve në burgun e Reçit. Pak kohë më parë, një tjetër sherr u regjistrua mes Safet Bajrit dhe Sokol Sanxhaktarit, ku ky i fundit mbeti i dëmtuar fizikisht.

Ngjarja ngre sërish pikëpyetje mbi sigurinë dhe menaxhimin e situatave konfliktuale brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu