
Në përgjithësi, kur biznesi futet në universitet, kufiri mes dijes dhe interesit zbehet. Në një vend si Shqipëria, ku interesi privat dhe ndërtimi po udhëheqin debatin mbi hapësirat publike, arkitektura po bëhet më shumë një instrument i tregut sesa një reflektim mbi zhvillimin urban.
Prania e sipërmarrësve, si Samir Mane në auditorin e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) prezantohen si takime me “mbështetësit e kreativitetit” duke vënë thelbësisht në diskutim idenë se universitetet publike kultivojnë mendje kritike apo thjeshtë fuqi punëtore.
“Arkitektët shqiptarë janë më të lirë”
Një makinë luksoze Bentley dalloi përpara UPT-së mëngjesin e së hënës. Nga modeli Mulsanne Extended Wheelbase i vitit 2017 – çmuar në internet rreth €350,000 – doli sipërmarrësi Samir Mane, i ftuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) për një leksion të hapur me studentët.
Sipërmarrësi, mbështetës i konkursit “Riciklo-Kreativ” të FAU-t, u prit nga dekani Armand Vokshi dhe një auditor i mbushur plot.
Megjithatë, për mua që e ndoqa leksionin, mu duk se interesi i studentëve pjesëmarrës ishte më tepër për një vend pune në grupin BALFIN sesa për debat mbi zhvillimin urban dhe etikën e ndërtimit.
Kështu, në vend të një bashkëbisedimi kritik, ora me Manen u shndërrua në një vetë-prezantim për sukseset e tij si investitor. Ai foli për “qëndrueshmëri”, por shmangu të flasë për ndikimin e projekteve që mbajnë firmën e tij.
Mbase kjo ishte ajo që dhe unë do të duhej të prisja, nisur nga titulli i leksionit: “Arkitektura dhe biznesi – Vizioni i një sipërmarrësi që i ka paraprirë kohës”.

I pyetur nga Dekani Vokshi për raportin mes arkitektëve vendas dhe të huaj, Mane tha se preferonte vendasit sepse “njohin më mirë materialet, kontekstin dhe kanë raport çmimi më të arsyeshëm”. Për planet urbane, ai shtoi se “nuk janë të qarta dhe duhen më afatgjate”.
Kur iu drejtua një pyetje nëse i dukej apo jo i qëndrueshëm tregu i ndërtimit në Tiranë, Mane u përgjigj me diplomaci:
“Nuk dua të keqinterpretohem nga opinioni im, por aktualisht nuk kemi projekte në Tiranë.”
Ky takim më nxiti të përmbledh në këtë shkrim historinë e sipërmarrjes që tregoi Mane dhe anët e diskutueshme në zhvillimet e projekteve të tij, kryesisht në ndërtim.
Mane drejton një nga konglomeratet më të mëdha private në Shqipëri që kalon kufijtë, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Austrinë, Zvicrën, Greqinë, Italinë dhe Kanadanë.
Grupi i tij deklaron mbi 5,000 të punësuar në të gjitha vendet ku operon, ndërsa aktiviteti më i madh mbetet sektori i tregtisë me pakicë (retail), përmes markave si SPAR Albania, Neptun, Jumbo, dhe së fundmi Fashion Group Albania.
Në sektorin financiar, kontrollon Tirana Bank, ndërsa në fushën e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme zotëron projekte të mëdha si Green Coast Resort & Residences, Rolling Hills, Univers City apo dhe Vlora Marina.
Ai paraqitet shpesh si “histori suksesi”. Së fundmi u përfshi edhe në Forbes si miliarderi i parë shqiptar, por zgjerimi i tij i madh ka ngjallur diskutime mbi përqendrimin e pushtetit ekonomik, ndikimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe lidhjet me politikat publike që favorizojnë zhvillimet e mëdha urbane në Shqipëri.
Nga tregtia në ndërtim, historiku i sipërmarrjes
Mane e nisi sipërmarrjen si tregtar elektroshtëpiakesh në vitin 1993 kur themeloi kompaninë Alba Trade në Austri. Paralelisht nisi një grup investimi që do të quhej Balkan Finance Investment (BALFIN).

Asokohe ishte 25 vjeç. Kishte rreth dy vite qe kishte emigruar pas rënies së diktaturës. Nga Shqipëria qe larguar si student i gjeologji-minierave, studime të cilat për shkak të rrethanave nuk i mbylli dot.
Mane tregoi gjatë leksionit të hapur se emigrimi në Austri ishte vendimtar. Sipas tij, specifikat që gjeti në Vjenë atë periudhë e bënë të hidhte suksesshëm hapat e parë në sipërmarrje.
“Nëse do të kisha bërë ndryshe duke emigruar në vende të tjera, them se nuk do t’ia kisha dalë njësoj,” tha ai.
Pas suksesit me elektroshtëpiaket dhe themelimit të filialit Neptun, në fillimvitet 2000, Mane vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri.
Ai tregoi se investimi i parë që e lidhi me sektorin e ndërtimit ishte Qendra Tregtare Univers (QTU, 2005) në anë të autostradës Tiranë-Durrës.
Sipas tij, ky projekt me rreth 85 dyqane dhe hapësira rekreative u përqendrua te funksionaliteti dhe synimi për të rrëzuar skepticizmin se “nuk shkohet deri në autostradë për dy kilogramë domate”.
Investimi rezultoi i suksesshëm dhe pas QTU-së, Mane zgjeroi sipërmarrjen në tregtinë me pakicë duke hapur qendrën e dytë tregtare në lindje të Tiranës: Tirana East Gate (TEG, 2011).
Filozofia në këtë investim me 150 dyqane dhe zona rekreative ishte ndryshe. Sipas tij, u synua për një qasje më elitare me një zonë rezidenciale prej 250 vilash përreth: Rolling Hills.
Në vijim, kodrat e Lundrës dhe Mulletit u mbushën me projekte të ngjashme, të cilat sot shtrihen deri në Mjull-Bathore.
“Rreth 1.2 miliardë euro janë investuar nga sipërmarrje të tjera përreth, të cilat e kanë kthyer TEG-un në pikë referimi,” u shpreh krenar Mane.

Qasja si ndërtues e ktheu sërish Manen te QTU-ja krah së cilës grupi BALFIN ka zhvilluar një bllok rezidencial me pallate të quajtur Univers City (2018-2027). Ai tha se në këtë projekt që synon shtimin me rreth 18,000 banorë të zonës, filozofia ka qenë për të garantuar “apartamente të përballueshme”.
“Ne tanimë nuk ndërtojmë thjesht pallate, por zona të plota urbane që kanë jetë,” u shpreh drejtuesi i grupit, Erion Avrami gjatë prezantimit të projekteve.
Pas projekteve QTU-TEG, grupi BALFIN nisi ta gërshetojë ndërtimin me turizmin. Projekti fillestar dhe më madhor mbetet Green Coast (2015-2030) në Palasë me rreth 500 vila elitare, 7 hotele dhe mbi 100 dyqane, bare dhe restorante.
Projekti përkoi edhe me zhvillimin e infrastrukturës nga qeveria, me një tunel (2020-24) rreth 6 km që e lidhi Palasën direkt me Dukatin dhe Vlorën duke shmangur Llogaranë.
Paralelisht BALFIN vijoi investimet në turizëm me projektin Vala Mar në Gjirin e Lalzit (2017-2028), që parashikonte tre blloqe rezidenciale me vila.
“Shume keq, por s’kam qene asnjehere aty,” rrëfeu Mane gjatë leksionit teksa shtoi se po mendonte ta vizitonte zonën së shpejti.
Vlora Marina (2022-31) që parashikon një port jahtesh me rreth 440 vende ankorimi si dhe një bllok pallatesh me rreth 1,000 apartamente rezidenciale dhe hotelerie janë projekti radhës për grupin e Manes.
Avrami tregoi më pas se grupi BALFIN parashikon investime edhe në Korçë dhe Lezhë. Kështu grupi i sipërmarrësit më të suksesshëm në vend mënjanon qartë kryeqytetin, ndryshe nga investitorë të tjerë të mëdhenj si Kastrati, Nova apo Fusha.
Investimet e kontestuara
Përtej suksesit të përcjellë gjerësisht nga shtrirja në media, por tashmë edhe në auditorët e universiteteve, Mane nuk ka pasur sukses në sektorin minerar.

Në këtë sektor ai hyri duke blerë koncesionarin e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë “Albchrome” (ACR, 2013). Tre vite më pas, duke premtuar investime, grupi i tij përfitoi nga qeveria zgjatje me 10 vite (deri 2040) të koncesionit.
Por aksidentet e vazhdueshme dhe shembjet në galeri (2015-20: 27 viktima) nxitën revoltë mes minatorëve për kushtet e punës. Një grupim i mbështetur nga Lëvizja Bashkë – që asokohe vepronte si Organizata Politike – organizuan një valë protestash.
Mane u vu në qendër të një fushate që e etiketoi publikisht atë si “shtypës të punëtorëve”. Në vitin 2021, BALFIN ia lëshoi koncesionin turqve të Yildirim International Mining (YIM).
I pyetur për këtë tërheqje pavarësisht se investoi si njohës i gjeologji-minierave, Mane tha se ajo ndodhi prej luhatjeve të çmimit të kromit. Ai theksoi se nuk pendohej për investimet që kishte bërë, apo dhe humbjet.
“Biznesi në sektorin minerar është i vështirë për sa kohë je i ekspozuar ndaj bursave ndërkombëtare me çmime që luhaten thuajse çdo ditë. Mendoj se jam tërhequr në momentin e duhur,” u shpreh kreu i BALFIN-it.
Në suksesin e qendrës tregtare TEG, për të cilën nuk u fol gjatë leksionit, ndihmoi dhe infrastruktura rrugore.
Investimi i Manes u trajtua nga qeveria si “strategjik” – edhe pse asokohe nuk kishte një ligj të mirfilltë për të. Projekti i Unazës së Madhe u vijua rreth 3 km përtej nga Sauku në Lundër për ta qasur TEG-un me rrugë.
Sot, fluksi “i qarkullimeve të jashtme” të kryeqytetit nuk është unazor. Harta e Unazës së Madhe i ngjan një dardhe dhe qarkullimi futet medoemos në rrethrrotullimin e TEG-ut duke i shërbyer kësaj qendre tregtare dhe zonës rezidenciale pranë saj.
Sikur të mos mjaftonte kjo, anës TEG-ut u vendos edhe terminali i linjave ndërqytetase për juglindjen.
Kështu, pavarësisht përmbylljes së projektit të Unazës së Madhe, trafiku që gjenerohet te rrethrrotullimi i TEG-ut kërkon shpesh ndërhyrjen e policisë rrugore.
Trajtimet preferenciale të qeverisë ndaj sipërmarrësve u ligjëruan më vonë përmes ligjit kontravers të “Investimeve Strategjike“. Natyrisht nga ky ligj nuk do të bënte përjashtim Mane, i cili përfitoi ndër të parët statusin me projektin e Green Coast në Palasë.

Sipas një hulumtimi të BIRN një pjesë e resortit u ngrit mbi prona të kontestuara, të cilat në vitin 2014 po hetoheshin nga Prokuroria e Vlorës.
Përfitime të tilla përmes përkrahjeve politike apo ligjore i kanë dhënë edhe më shumë zë etiketimit të Manes si “oligark” nga grupimet politike të opozitës.
Nëse vijojmë më tej, një video virale e këngëtares Ledina Çelo, e cila ankohej këtë verë për mungesën e ujit në Green Coast nxorri në pah problemet me furnizimin.
Kjo ndodhi teksa qeveria hasi kundërshti nga komuniteti i banorëve të Tragjasit ndaj projektit të ujësjellësit për bregdetin e Dhraleos, Palasë. Ky projekt synon marrjen e ujit nga burimet e fshatrave përtej Llogarasë për resortet turistike.
I pyetur se çfarë zgjidhje po mendonte grupi BALFIN për këtë situatë pasi projekti i tyre me ndërtime në Palasë po vijon të zgjerohet dhe kërkesa për ujë pritet të jetë më e madhe, Mane fillimisht mohoi të kishte një probelem të tillë, më pas theksoi se ishte detyrë e qeverisë për t’i dhënë zgjidhje.
Ai tha se grupi i tij kishte investuar në një sistem osmozë, pra një mini-impjant desalinizimi, dhe se për momentin i shërbente resortit prurje me rreth 20 litra në sekondë.
“Nuk ka një problem uji në Green Coast, kemi investuar dhe besoj deri vitin tjetër kjo çështje është e zgjidhur,” u shpreh fillimisht Mane.
“Por duhet ta theksojmë, kudo në botë infrastrukturën nuk e bën investitori, pra nuk e sjell ujin investitori,” vijoi ai.
“Shteti duhet që ta bëjë atë investim në çdo mënyrë, sepse nga mbi 1 miliardë euro investime që janë bërë aty nga të gjithë, shteti duhet t’i kishte paraprirë dhe ta bënte investimin që i takon, në këtë kuptim ta sjellë ujin nga të dojë, nga Vlora, nga Hëna, nuk na intereson,” theksoi më tej.
Impianti që përmendi Mane kuptueshëm nuk mjafton për të përmbushur nevojat e një resorti me pishina dhe qindra vila. Ai mund të zbusë mungesën e ujit për nevoja të brendshme, por nuk mund ta zgjidhë plotësisht problemin.

Ajo që qartësisht Mane pret nga qeveria është një trajtim preferencial kundrejt komuniteteve si Tragjasi dhe Dukati dhe “privatizimi” i burimit të tyre ujor. Nevoja për kapjen e burimeve është një efekt domino i resorteve të bregdetit që Shqipëria ka nisur ta hasë tashmë që këto resorte po masivizohen.
Sigurisht, në aspektin ligjor Mane dhe investitorë të ngjashëm me të kanë të drejtë. Statusi i investitorit strategjik ua garanton mbështetjen me kanalizime dhe furnizim me ujë.
Por me këtë qasje resorti i tij, që për më tepër quhet “Green”, nuk qëllon të jetë aq miqësor me natyrën përderisa pret t’i gëzohet futjes në tuba të burimeve të lira dhe nga ana tjetër nuk siguron alternativa dhe zgjidhje të qenëdrueshme.
Kështu, nga historia e sipërmarrjeve të Manes na takon ta themi dhe diskutojmë që ajo është një lloj rezultati i fuqisë së influencave ekonomike përballë brishtësisë së institucioneve shqiptare për të balancuar interesat private me ato publike.
Në këtë kontekst, nëse hapësirat e universiteteve nuk ruajnë qasjen kritike, rrezikojnë të kthehen në një terren rekrutimi për vizionin e biznesit, duke u larguar nga ideja e të qenit laboratorë të ideve që vënë në pikëpyetje vetë këtë model zhvillimi./Citizen.al







