
Reagimi i menjëhershëm i Policisë së Shtetit bëri të mundur gjetjen dhe kthimin pranë familjarëve të dy fëmijëve që ishin larguar në mënyrë të paautorizuar nga prindërit e tyre, në plazhin e Shëngjinit.
Njëri prej fëmijëve, një 7-vjeçar me aftësi ndryshe nga Kosova, ishte raportuar i humbur nga nëna e tij, ndërsa pak më vonë një tjetër familje nga Maqedonia e Veriut raportoi largimin e djalit të tyre 10-vjeçar.
Menjëherë pas njoftimeve, shërbimet e Policisë në Shëngjin dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë “Shqiponja” u angazhuan në kërkime të ndara, duke lokalizuar fëmijët në zona të ndryshme të bregdetit.
Fatmirësisht, të dy të miturit ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore dhe u dorëzuan të sigurt pranë prindërve.
Familjarët falënderuan autoritetet për veprimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar në një situatë që për pak mund të kishte përfunduar ndryshe.