Segmenti i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër shembje të rëndë.

Burime nga terreni bëjnë me dije se rruga dytësore, e hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, është fundosur pas një rrëshqitjeje masive dheu, duke shkatërruar një sipërfaqe të konsiderueshme toke. Lëvizja e terrenit ka dëmtuar seriozisht punimet e realizuara ditët e fundit, duke e bërë segmentin të pakalueshëm për një periudhë të pacaktuar.

Situata e krijuar ka alarmuar strukturat shtetërore, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Specialistët paralajmërojnë se zona mbetet tepër e paqëndrueshme, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.

Bllokimi i këtij segmenti strategjik rrugor vijon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu