Nga Saranda, Agron Shehaj u shpreh se “Mundësia” është një projekt afatgjatë që ka synim të sjellë ndryshimin në Shqipëri, që do të vijë gradualisht falë punës dhe këmbënguljes.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky është një proces afatgjatë, është një projekt politik afatgjatë. Dhe ndryshimi është një proces. Një pjesë e mirë vijmë nga biznesi. Nëse nuk kemi qenë sipërmarrës, kemi punuar në biznese private.

Dhe e dimë shumë mirë që ndryshimi vjen gradualisht. Nuk mund të presim që brenda ditës të vijë zgjidhja. Por ajo që na ndan nga qëllimi ynë, nga suksesi, është puna jonë, varet nga këmbëngulja jonë. Unë jam i bindur që po të bëjmë punën tonë, po të ngulim këmbë, po të vazhdojmë të flasim me njerëzit, suksesi është i pashmangshëm. Mjaftojmë të shohim 10 muajt e fundit. Çdo ditë na kanë thënë nuk do t’ia dilni”, tha Shehaj.

Ai tregoi se krijimi i kësaj force politike ishte pritur me skepticizëm, por fjalët nuk e kanë ndalur punën e “Mundësisë”, që ka si qëllim t’u japë shqiptarëve një qeveri të pakorruptuar.

Shehaj tha se “Mundësia” ka dhjetëra të rinj e të reja që kanë studiuar e punuar jashtë, por kthehen në vendin e tyre për të ndihmuar për ndryshimin, teksa shtoi se shqiptarët duan thjesht të punojnë dhe t’ia dalin me punë të ndershme, ashtu si në Perëndim.

“Që ditën e parë na kanë thënë Do bëni parti ju. Pastaj na thënë do hyni në parlament ju. Pastaj na thanë do bëni grup parlamentar ju. Thash me vete unë imagjino kur tu themi që duam të shkojmë edhe në qeveri, dhe t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, ca do thonë? Do thonë që jemi të çmendur.

Në fakt ne jemi të çmendur. S’ka diskutim. Se po të mos ishim të çmendur s’do bënim këtë që po bëjmë. Nuk do dilnim kundër të gjithëve.

Kështu që s’ka problem. Ne jemi të bindur që kjo është gjëja e duhur. Por gjithashtu, rezultati varet nga ne. Unë këtë kam mësuar në jetë. Kjo më ka çuar këtu ku jam. Puna dhe këmbëngulja. Dhe jo sepse kam ndonjë hall personal. Nuk jam këtu se kam ndonjë hall personal. As kandidatët tanë s’kanë ndonjë hall, as këta që kanë ardhur nga jashtë për të mbështetur partinë Mundësia.

Ne kemi me dhjetëra të rinj dhe të reja që kanë jetuar dhe studiuar jashtë. Shumë e vështirë që të kthehen në Shqipëri. Po e bëjnë kanë parë Perëndimin, kanë parë botën e lirë. Dhe sa më shumë kanë jetuar në botën e lirë, aq më shumë iu vjen inat pse vendi ynë duhet të jetë në dorën e politikanëve të korruptuar. Shqiptarët duan thjesht të punojnë”, u shpreh kreu i Mundësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu