
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se pas 12 Majit, do të jetë hera e parë që një parti e re hyn në Parlament pa asnjë mbështetje nga partitë e mëdha dhe përballë të gjitha partive të tjera. Shehaj deklaroi se Mundësia do të ketë një grup parlamentar që do të përfaqësojnë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë.
“Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një parti e re politike do hyjë në Parlament jo vetëm pa ndihmën e partive të mëdha, por duke i patur të gjitha partitë e tjera kundër. Pavarësisht sulmeve, sot jemi këtu dhe nesër do kemi një grup parlamentar që do përfaqësojnë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Nuk ka votë më me vlerë se vota për Partinë Mundësia, pasi është e vetmja votë që përfaqëson interesin e qytetarëve.
Nuk duhet t’i dëgjojmë, duhet të vazhdojmë përpara. Do të habiten zgjedhjet e ardhshme, por do habiten edhe më shumë kur ne të vazhdojmë të ngulim këmbë. Kjo është e vërteta, dhe prandaj janë të shqetësuar”, tha Shehaj.
Kreu i “Mundësisë” u shpreh se kjo forcë politike u krijua prej zhgënjimit nga politika në këto 34 vite, teksa shtoi se ato që Mundësia ka bërë në këto 10 muaj, i ka shqetësuar të gjithë.
“Të gjithë jemi zhgënjyer nga politika dhe kjo është arsyeja pse krijuam një forcë politike, sepse na erdhi në majë të hundës. Do thonë lloj lloj broçkullash. E vërteta është që çfarë kemi bërë ne në këto 10 muaj, i ka shqetësuar të gjithë, dhe nuk kanë argumenta.
Pasi merrnin fjalët tona, i prisnin dhe i nxirrnin në rrjetet sociale, tani kanë filluar në këto mashtrime. Janë shumë të shqetësuar, sepse sipas sondazheve, ne kemi me qindra mijëra vota, dhe në datën 12 këtu do jemi, dhe aty do shqetësohen me të vërtetë”, u shpreh Agron Shehaj.