
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka paralajmëruar se Irani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit në nivele për prodhimin e bombës bërthamore brenda pak muajsh, pavarësisht goditjeve ajrore që kanë shënjestruar objektet e tij bërthamore.
Grossi deklaroi se pavarësisht dëmeve të konsiderueshme nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve në Fordo, Natanz dhe Isfahan, Irani vazhdon të ketë kapacitetin teknologjik dhe industrial për të rikthyer programin e tij bërthamor.
Kjo deklaratë bie ndesh me pretendimin e presidentit Donald Trump, i cili tha se objektet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht”. Sipas Grossit, dëmet janë të mëdha, por jo të plota.
Një raport i rrjedhur nga Pentagoni sugjeron se sulmet mund ta kenë vonuar programin bërthamor të Iranit vetëm për disa muaj, jo më shumë.
Tensionet në rajon mbeten të larta, pavarësisht një armëpushimi të brishtë mes Iranit dhe Izraelit. Shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit deklaroi se Teherani dyshon se Izraeli do të respektojë armëpushimin dhe paralajmëroi se janë të gatshëm të përgjigjen me forcë nëse sulmohen sërish.
Në të njëjtën kohë, Irani ka pezulluar bashkëpunimin me IAEA, duke refuzuar inspektimin e objekteve të dëmtuara dhe duke akuzuar agjencinë ndërkombëtare se mban anën e SHBA-së dhe Izraelit.
Pavarësisht kësaj, Grossi u shpreh se shpreson që ende të ketë hapësirë për zgjidhje diplomatike, duke theksuar se pas çdo konflikti ushtarak, zgjidhja duhet të jetë politike dhe afatgjatë.
Kriza aktuale vjen pas dështimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të cilën SHBA e braktisi në vitin 2018 nën presidencën e Trump. Pas kësaj, Irani nisi të shkelte gradualisht kufizimet, duke akumuluar uranium të pasuruar në nivelin 60%, mjaftueshëm — sipas IAEA — për të ndërtuar deri në nëntë bomba bërthamore, nëse do të vendoste ta çonte procesin deri në fund.