Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një mesazh të fortë për Kosovën dhe Serbinë gjatë mbledhjes së radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë përpara.

Zëvendëspërfaqësuesja amerikane Tammy Bruce deklaroi se presidenti Donald Trump pret një zotim të qartë nga të dyja palët për të punuar së bashku dhe për të ulur tensionet. “Ne shpresojmë që të dyja palët të ulen në tavolinë dhe të angazhohen në dialog të vërtetë, jo teatër”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë vijuan me akuza të ndërsjella. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, theksoi se nuk mund të ketë normalizim pa llogaridhënie për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, duke kërkuar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, akuzoi qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për presion ndaj serbëve në Kosovë, duke pretenduar se komuniteti serb përballet me pasiguri dhe pengesa administrative.

Në takim u diskutua edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa u theksua se dialogu mes dy vendeve, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që prej vitit 2011, ka mbetur i papërfunduar në shumë pika.

Përfaqësuesi i misionit të OKB-së në Kosovë bëri thirrje për stabilitet politik dhe vazhdim të dialogut, duke shprehur shpresën për një takim të afërt mes liderëve në Bruksel.

Mes tensioneve dhe deklaratave të forta, SHBA thekson se e ardhmja e rajonit varet nga bashkëpunimi, stabiliteti dhe orientimi drejt integrimit evropian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu