
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një hap të paprecedentë duke ulur numrin e vaksinave që rekomandohen për çdo fëmijë, duke lënë disa imunizime – përfshirë vaksinën e gripit – në zgjedhjen e familjeve, por pa udhëzime të qarta federale. Vendimi është bërë publik të hënën dhe ka ngjallur reagime të forta në komunitetin mjekësor.
Sipas autoriteteve amerikane, ndryshimi i skemës federale të vaksinimit nuk do të ndikojë në aksesin e familjeve apo në mbulimin nga sigurimet shëndetësore. Megjithatë, ekspertë të shëndetit publik e kanë kritikuar ashpër këtë lëvizje, duke paralajmëruar se mund të çojë në uljen e vaksinimit dhe në rritjen e rrezikut për shpërthime sëmundjesh të parandalueshme.

Vendimi vjen pasi presidenti Donald Trump kërkoi në dhjetor që U.S. Department of Health and Human Services të rishikojë mënyrën se si vendet e tjera të zhvilluara hartojnë rekomandimet për vaksinat dhe të shqyrtojë përafrimin e skemës amerikane me praktikat ndërkombëtare.
“Është një ndryshim që krijon paqartësi për prindërit dhe mjekët,” kanë deklaruar disa ekspertë, duke shtuar se mungesa e udhëzimeve të qarta federale mund të dobësojë besimin në politikat e vaksinimit dhe të ndikojë negativisht në shëndetin e fëmijëve.
Vendimi ka hapur debat të gjerë në SHBA, ndërsa autoritetet shëndetësore pritet të publikojnë sqarime shtesë në javët në vijim për mënyrën se si do të zbatohet skema e re dhe çfarë ndikimi praktik do të ketë për familjet amerikane./AP







