Tiranë, 25 Qershor 2025 – Krimet kibernetike janë sot një nga kërcënimet më serioze për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin ekonomik, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Kështu deklaroi zëvendës Shefja e Misionit të SHBA në Tiranë, Kathryn Hammond, gjatë ceremonisë së diplomimit të pjesëmarrësve në kursin “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”.

Ky trajnim dyditor, i organizuar nga Ambasada e SHBA në kuadër të Programit të Ndihmës për Antiterrorin, kishte si fokus forcimin e aftësive të prokurorëve shqiptarë në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike dhe menaxhimin e provave digjitale.

Krimet kibernetike janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, për stabilitetin ekonomik dhe për qytetarët. Mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale është mbrojtje kombëtare. Luftërat moderne fillojnë online,” theksoi Hammond.

Ajo risolli edhe sulmin kibernetik të ndodhur pak ditë më parë ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili, sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, është kryer nga aktorë iranianë. Sipas saj, ky është një tjetër tregues se kërcënimet digjitale janë reale dhe në rritje, ndaj kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes aleatëve.

Hammond vuri në dukje se qeveria amerikane ka ofruar miliona dollarë ndihmë dhe ekspertizë për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë që nga sulmet shkatërruese të viteve 2022 dhe në vijim.

Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara. Aftësia juaj si prokurorë për të kuptuar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimet kibernetike është thelbësore në këtë betejë.

Në mbyllje, zyrtarja e lartë amerikane theksoi se SHBA dhe Shqipëria mbeten aleatë të pandarë, jo vetëm në botën reale, por edhe në hapësirën kibernetike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu