
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke i dhënë fund rolit të tyre si një nga kontribuuesit financiarë më të mëdhenj të agjencisë së Kombeve të Bashkuara.
Vendimi u formalizua një vit pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e kishte akuzuar OBSH-në për një qasje “tepër të orientuar nga Kina” gjatë menaxhimit të pandemisë së Covid-19.
Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, tërheqja u motivua nga ajo që e cilëson si keqmenaxhim të pandemisë, paaftësi për reforma të brendshme dhe ndikim politik nga shtetet anëtare.
Nga ana tjetër, OBSH ka hedhur poshtë këto akuza. Drejtori i Përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se largimi i SHBA-ve përbën një humbje jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për gjithë botën.
OBSH thekson se ka luajtur një rol kyç në luftën globale kundër poliomielitit, HIV/AIDS-it, uljen e vdekshmërisë amtare dhe në zbatimin e traktatit ndërkombëtar për kontrollin e duhanit.






