
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do t’u mohojnë vizat pesë personave, mes tyre edhe një ish-komisioner i Bashkimit Evropian, me arsyetimin se kanë tentuar të “detyrojnë” platformat amerikane të rrjeteve sociale të shtypin pikëpamje që nuk i mbështesin.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se masat prekin individë që, sipas Uashingtonit, kanë avancuar politika censurimi përmes shteteve të huaja dhe organizatave joqeveritare, duke synuar folës dhe kompani amerikane. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bëhet fjalë për “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara” që kanë promovuar goditje ndaj lirisë së shprehjes.
Në mesin e personave të përfshirë është Thierry Breton, ish-komisioneri evropian për tregun e brendshëm dhe rregullator i lartë i teknologjisë në Komisionin Evropian. Departamenti i Shtetit e përshkroi Breton si “arkitektin” e Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së, i cili vendos detyrime të forta për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale.
Breton reagoi duke e quajtur vendimin një “gjueti shtrigash”, ndërsa në një postim në platformën X shkroi: “Për miqtë tanë amerikanë: Censura nuk është aty ku mendoni se është”.
Akti për Shërbimet Digjitale ka ngjallur kritika të forta nga konservatorë amerikanë, të cilët pretendojnë se ai synon të censurojë opinionet e djathta. Brukseli i ka mohuar këto akuza. Breton ka pasur përplasje të drejtpërdrejta edhe me Elon Musk, pronarin e platformës X, lidhur me zbatimin e rregullave evropiane.
Së fundmi, Komisioni Evropian e gjobiti platformën X me 120 milionë euro, gjoba e parë e vendosur sipas DSA-së, duke argumentuar se sistemi i verifikimit me shenjën blu ishte “mashtrues” pasi nuk verifikonte realisht përdoruesit. Si kundërpërgjigje, X bllokoi Komisionin Evropian nga reklamimi në platformë.
Lista e personave të sanksionuar përfshin edhe Clare Melford, drejtuese e Global Disinformation Index (GDI), një organizatë me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Sarah B. Rogers, akuzoi GDI-në se ka përdorur fonde të taksapaguesve amerikanë për të nxitur censurimin dhe “listat e zeza” ndaj mediave dhe fjalës së lirë në SHBA.
Nga ana e saj, GDI reagoi duke e cilësuar ndalimin e vizave si “një sulm autoritar ndaj lirisë së shprehjes” dhe “një akt flagrant censurimi shtetëror”.
Po ashtu, ndalim vizash iu vendos edhe Imran Ahmed, drejtues i organizatës Center for Countering Digital Hate (CCDH), e cila lufton gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin online. Sipas autoriteteve amerikane, ai ka qenë një “bashkëpunëtor kyç” në përpjekjet e administratës Biden për të përdorur qeverinë kundër qytetarëve amerikanë.
Në listë janë edhe Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, drejtuese të organizatës gjermane HateAid, të cilat sipas Uashingtonit kanë ndihmuar në zbatimin e DSA-së. Në një deklaratë për BBC-në, ato e quajtën vendimin “një akt represioni nga një qeveri që po injoron gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit”.
Marco Rubio tha se masat synojnë “agjentët e kompleksit global të censurës”, të cilët do të ndalohen përgjithësisht nga hyrja në SHBA. Ai shtoi se politika “Amerika e Para” e presidentit Donald Trump refuzon çdo shkelje të sovranitetit amerikan, përfshirë përpjekjet e huaja për të ndikuar mbi fjalën e lirë në Shtetet e Bashkuara.
/tvklan






