
Një sulm me armë ka ndodhur në një shkollë katolike në Minneapolis në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas mediave amerikane, sulmi ka ndodhur në Shkollën Katolike Annunciation, rreth orës 15:30, sipas kohës tonë lokale.
Nga ngjarja e rëndë raportohen 20 të plagosur dhe 3 të vrarë, mes të cilëve edhe autori. Ky i fundit kreu vetëvrasje.
Autori ka qenë i veshur me rroba të zeza dhe ishte i armatosur me një pushkë. Ai qëlloi rreth 30 herë drejt një grupi personash të cilët po qëndronin në trotuar. Dy prej tyre mbetën të vdekur në vendngjarje.
Ndërsa 20 të tjerë janë të plagosur, 10 prej të cilëve raportohen në gjendje kritike për jetën.
Në skenën e krimit kanë shkuar forca të shumta policore dhe ambulanca.
Motivi i sulmit të armatosur në shkollën katolike nuk dihet. Të shtënat nisën kur nxënësit po merrnin pjesë në meshën e mëngjesit në shkollën katolike. Kjo është një shkollë private me rreth 395 nxënës, nga parashkollorja deri në klasën e tetë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë pas nisjes së sezonit të ri shkollor në Amerikë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi në një shkollë katolike në Minneapolis, ku raportohet për disa persona të plagosur, ndërsa autori është vrarë nga policia.
Në një reagim në rrjetin social “Truth Social”, Trump e konsideron ngjarjen si një skenë të tmerrshme, teksa shton se situatën po e mban në monitorim.
“Jam informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis, Minesota. FBI-ja reagoi shpejt dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutjet për të gjithë personat e përfshirë”, ka shkruar Presidenti Trump./shqiptarja