
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio anuloi një takim me shefen e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas të mërkurën, pasi ish-kryeministrja estoneze kishte mbërritur në Uashington.
Sipas informacioneve, si i vetmi shpjegim për anulimin që është dhënë, është ”çështja e orareve”.
Asnjë informacion zyrtar nuk u dha dhe Departamenti amerikan i Shtetit.
Bashkimi Evropian luajti rol të rëndësishëm në parandalimin e miratimit të një rezolute miqësore ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.
Kallas gjithashtu kritikoi së fundmi planet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë si një “marrëveshje të pistë”, duke kritikuar sugjerimin e Uashingtonit se Ukraina duhet të braktisë ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe të pranojë se një pjesë e territorit të saj do të mbetet përgjithmonë nën kontrollin rus.
Një zëdhënës i BE-së tha se Kallas do të qëndrojë në Uashington deri të enjten pavarësisht anulimit të takimit me Rubion.
Agjenda e saj përfshin takime me senatorë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit.
”Kallas gjithashtu planifikon të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga instituti ‘Hudson”, tha zëdhënësi./ atsh