Shtetet e Bashkuara do të fillojnë zbatimin e tarifave deri në 104% për disa mallra kineze që nga ora 00:01 e 9 prillit (me orën lokale), konfirmoi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference 40-minutëshe për shtyp. Vendimi vjen pasi Kina refuzoi të tërheqë tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-së.

Leavitt tha se presidenti Trump beson se Kina dëshiron një marrëveshje, por theksoi se nuk do të ketë asnjë vonesë apo shtyrje në zbatimin e tarifave. Ajo konfirmoi se pak para daljes në konferencë kishte komunikuar personalisht me Trump, i cili mbështet fuqishëm hyrjen në fuqi të menjëhershme të masës.

Ndërkohë, rreth 70 vende kanë kontaktuar Uashingtonin për të negociuar, tha Leavitt. Por çdo marrëveshje, sipas saj, do të jetë “tailor-made” – e përshtatur posaçërisht – dhe e fokusuar vetëm tek interesi i punëtorëve amerikanë.

Në lidhje me përplasjen publike mes Elon Musk dhe këshilltarit të tregtisë Pete Navarro, Leavitt minimizoi tensionin me një koment ironik: “Djemtë mbeten djem”. Ajo shtoi se situata tregon se Trump është i hapur ndaj mendimeve të ndryshme, duke reflektuar një stil drejtimi që përfshin zëra të ndryshëm brenda administratës.

Këto zhvillime ndodhin në një klimë të tensionuar tregtare, ku tregjet financiare kanë pasur lëkundje, ndërsa pritet me interes ndikimi që këto tarifa do kenë jo vetëm në ekonominë amerikane, por edhe në atë globale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu